“Keep It Green” u ka bërë thirrje të rinjve nga mosha 15 deri në 25 vjeç për aplikim në garën e pikturës në “Green Art Fest” 2019, e cila mbahet në qytetin e Obiliqit më 31 gusht.
Artistët që marrin pjesë në garën e këtij edicioni do të punojnë me temën “Plastikofobia”.
Qëllim i këtij edicioni është që përmes krijimeve artistike të ngritët vetëdija rreth përdorimit të plastikës një-përdorimëshe në vendin tonë.
Aplikimi bëhet duke dërguar e-mail në keepitgreen@kigngo.com me të dhënat personale (emri, vendbanimi, mosha, numri i telefonit) dhe duke bashkangjitur dy foto nga punimet paraprake, deri më 28 gusht, në ora 12:00.
Po ashtu, organizatorët kanë bërë të ditur se mjetet e nevojshme për pikturim si kanvasi, ngjyrat akril, brushat dhe të tjera, do të sigurohen nga GAF, ndërsa udhëtimi bëhet nga Prishtina në mënyrë të organizuar.
Projekti i lartpërmendur përkrahet nga programi “Culture for change”, i financuar nga Bashkimi Evropian, që menaxhohet nga Zyra e BE në Kosovë dhe implementohet nga Qendra Multimedia and Goethe-Institut.