Sa herë vijnë datat e shënimit të Krishtlindjeve, ndër këngët më identifikuese të festës është “Last Christmas” e grupit “Wham!”, grup që ishte themeluar nga artisi që gëzonte popullaritetin më të madh në Britani të Madhe, gjatë viteve 1980 – 1990. George Michael është artisti të cilin e sjellim sot në kuadër të rubrikës “Artist of the day“. Ai kishte lindur në qershor të vitit 1963, në Londër të Anglisë, ndërsa rrugëtimin e nisi me shokun e tij të shkollës së mesme, Andrew Ridgeley, me të cilin kishte formuar grupin e quajtur “Wham”. Përpara kësaj, George, kishte punuar si DJ në një restaurant. Incizimi i këngës “Careless Whisper”, një prej hiteve më të mëdha të tij, bëri që ai të pushohej nga puna për shkak të vonesave në punë. Suksesi i njëmend i George dhe shokut të tij, Andrew, filloi në vitin 1982, kur ata lansuan albumin e tyre i parë “Fantastic!” i cili u radhit i katërti në “UK Top Charts“. Në prill të vitit 1985,”Wham” mbajti koncert në Kinë, duke u bërë kështu grupi i parë nga perëndimi që performoi atje, ndërsa viti 1986 shënoi ndarjen e grupit “Wham!”, por jo edhe të sukseseve si solo këngëtar të George Michael. Albumi me të cilin debutoi i vetëm është “Faith”, i cili përfshinë hitet si “Monkey” dhe “One More Try”, që preku majat e të gjithë top listave botërore. Albumi përmbante edhe këngë kotraverse siç ishte “I Want Your Sex”, të cilën disa radio stacione në botë, refuzuan ta transmetojnë për shkak të përmbajtjes eksplicite. Viti 1987 duket se ishte vit i sukseseve për George, pasi pikërisht atë vit fitoi çmimin e “Perfomancës më të mirë të zhanrit R&B” në ndarjen e çmimeve “Grammy”, me këngën “I Knew You Were Wainting”, të cilën e lansoi në bashkëpunim me këngëtaren dhe pianisten e talentuar, Aretha Franklin. Në vitin 1990 George Michael lansoi albumin “Listen Without Prejudice”, i cili arriti shitje në vetëm 1 milion kopje në gjithë botën. Shkaku i këtij dështimi, Michael ishte përfshirë në një betejë të gjatë ligjore me kompaninë e incizimeve ‘Sony’, betejë të cilën George, e humbi në fund. Albumin e tij të katërt “Patience”, George Michael e lansoi në vitin 2004, me të cilin gjeti sukses në “Dance Charts”. Pas këtij albumi, ai paralajmëroi largimin e tij nga skena muzikore. Edhe George Michael, si shumë artistë të tjerë, gjatë karrierës së tij muzikore u përballë me një varg skandalesh. Më 1998, ai ishte arrestuar për sjellje të vrazhdë ndaj një burri në Los Angeles. Pas këtij incidenti, me anë të një paraqitje televizive, Michael bëri të ditur se ishte homoseksual. Pak kohë më vonë, ai shkroi këngën “Outside”, të cilën ia dedikoi këtij incidenti. Gjatë karrierës së tij, ai ishte arrestuar katër herë. Ylli George Michael, ndërroi jetë më 25 dhjetor të vitit 2016, në moshën 53 vjeçare. Sipas rezultateve të autopsisë, vdekja e tij ishte rezultatet i sëmundjes së zemrës. Kur vdiq, Michael ishte duke punuar në “Freedom”, dokumentari i dytë për jetën e tij, i cili u lansua në vitin 2017, pas dokumentarit të parë “A Different Story”, që ishte lansuar në vitin 2005.