Kompanitë prestigjioze botërore si: NASA, Intel, Microsoft kanë sjellur ekspertë të fushës së tyre në Kosovë, për të ndarë përvojat dhe njohuritë e tyre në kampin e vajzave në shkencë, duke mbledhur 100 vajza të shkollave të mesme nga Kosova, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Amerika të cilat për dy javë përveç mësimeve të shumta që morën ato krijuan edhe miqësi të reja.
Radio KFOR-i takoi disa nga pjesëmarrëset e kampit, të cilat u shprehën entuziaste për këtë mundësi.
Toska Shala nxënëse e shkollës së mesme nga Prishtina, tregoi për eksperiencën unike në këtë kamp:
“Ky kamp është një mundësi e mirë për të mësuar gjëra të reja, të takohemi me komunitete të tjera duke ndarë ide të ndryshme me njëra-tjetrën, ku kemi takuar vajza nga Amerika, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi. Ky kamp është i bazuar në shkencë dhe teknologji, ku kemi ndjekur ligjërata nga kompanitë Intel, NASA, Bechtel Enca, ku kemi mësuar për shkencën e tokës, dukuritë e natyrës dhe gjëra të tjera”.
Lisa Mehmeti një tjetër pjesëmarrëse në këtë kamp, ajo tha se ky kamp i ka ndihmuar asaj të krijoj miqësi të reja me nacionalitete të ndryshme dhe të fitoj njohuri nga kompanitë prestigjioze teknologjike, po ashtu mësoi edhe për të drejtat e barabarta në shoqëri.
E reja tjetër, Andjela Anicic, nga Serbia po ashtu ishte ndarë e kënaqur nga ky kamp, e cila u shpreh:
“Për mua do të thotë shumë që pedagogë nga kompani të njohura ndërkombëtare do të ndajnë përvojat e tyre me ne. Unë do të doja të bëhesha inxhiniere hapësinore. NASA na dha një leksion se si të përdorim informacionin në dispozicion për të parashikuar nëse do të ketë thatësira, përmbytje apo kushte normale dhe mbi çfarë baze do të dëshiroja të zhvilloja një aplikacion teknologjik që ka të bëjë me bujqësinë”.
Erica Field nga Amerika tha se ky kamp i ka ndihmuar asaj të mësoj për fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe fusha të tjera. Ajo tregoi se ka njoftuar vajza nga vende të ndryshme nga të cilat ka mësuar shumë gjëra.
Kampi i lartpërmendur është organizuar nga ‘Fondacioni i Mileniumit i Kosovës’ (MFK), ‘Korporata e Sfidave të Mileniumit’ (MCC), Ambasadat Amerikane në Prishtinë, Shkup, Podgoricë, Beograd dhe Tiranë, NASA, NREL, Mircrosoft, Bechtel, AmCham Kosovo, Jahal Solar, Kolegji AAB, Organizata TOKA dhe Kosova Live.