Për katër vitet e fundit, OJQ-ja “GAIA” ka organizuar Kampe Vjetore të Punës në Dragancë, ku të rinjtë nga komunitete dhe vende të ndryshme vullnetarisht marrin pjesë.
Koordinatorja e kampit, nga organizata “GAIA”, Mevlude Skuroshi, sqaroi për Radio K4-in se ky kamp u ka mundësuar të rinjve të krijojnë miqësi dhe të njihen më mirë me njëri-tjetrin: “Kampi që ne kemi organizuar është një hapësirë ku të rinjtë nga komunitete të ndryshme dhe vende të botës takohen dhe mund ta njohin më shumë njëri-tjetrin dhe të shohim se sa të ngjashëm jemi me njëri-tjetrin pa marrë parasysh se nga kemi ardhur.”
Njëri nga vullnetarët, Arsim Ibishi, na tregoi për përvojën e tij unike në këtë kamp, me ç’rast pati edhe një porosi për të gjithë të rinjtë në Kosovë: “Më pëlqeu ky kamp sepse është një kamp multietnik rinor nga Kosova, Serbia, Kroacia, Franca dhe e gjithë bota dhe jam i kënaqur që pata mundësinë të jap ndihmën time këtu. Mesazhi im për të rinjtë e Kosovës është që të jenë sa më të hapur, të takojnë sa më shumë të rinj nga të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë, por edhe jashtë saj dhe të jenë të gjithë së bashku dhe të komunikojmë sa më mirë”.
Suzana e cila jeton dhe studion në Novi Sad është një vullnetare tjetër në këtë kamp: “Në fakt më pëlqejnë dallimet, në mënyrë që të mos kem paragjykime, sepse në Novi Sad kam miq që janë shqiptarë, megjithëse kanë lindur dhe jetojnë në Novi Sad. Unë kam edhe miq në mesin e Kroateve dhe Boshnjakëve, kështu që vërtet nuk kam probleme me kombësi të ndryshme, në fakt unë gjithmonë dua të mësoj gjëra të reja për kulturat e tjera, kështu që më pëlqen vërtet sepse çdo ditë mësoja diçka të re nga një kulturë e re “.
Me bindje të këtilla për marrëdhënie të mira multietnike, ne takuam edhe vullnetarë të tjerë në këtë projekt: “Unë jam Mateas dhe jetoj në Brnovo. Në fakt, kjo është përvojë shumë e mirë, ne bashkëpunojmë shumë mirë, ne ende kalojmë kohë së bashku dhe mendoj se tashmë kemi arritur të ndërtojmë miqësi shumë të fortë.”
“Jam Elisa dhe vij nga Bullgaria. Mesazhi im për të rinjtë është që të përpiqen të japin më të mirën e tyre, të jemi më të zellshëm për të punuar në komunikim me të tjerët sepse ka shumë që duhet të mësojmë nga njëri-tjetri.“
“Unë jam Maya, vij nga Zagrebi. Mendoj se njerëzit duhet vetëm të jenë të sinqertë dhe të respektojnë njëri-tjetrin dhe të njihen me njëri-tjetrin.”
Mjedisi multikulturor i këtij kampi mëton të jetë një vend i shkëlqyer për të zhvilluar miqësi të reja por mbi të gjitha të jetë një vend shprese e madhe për të ardhmen!