Bartja e maskës, distanca fizike dhe higjiena janë tre masat thelbësore sot në botë, për të parandaluar përhapjen e virusit ‘CoViD-19’ dhe janë masa të cilat duhet të respektohen nga secili individ, në çdo moment. Me gjithë situatën e krijuar si pasojë e pandemisë globale, vikendet janë kryesisht ditë pushimi dhe nevojë e secilës familje që të kalojë kohë së bashku edhe në ambiente të hapura. Andaj, Radio KFOR-i ka kontaktuar me infektologun Dr. Arben Vishaj, i cili na ka këshilluar se si t’i kalojmë vikendet edhe në ambiente të hapura- në natyrë, gjithmonë duke u siguruar që po ndërmarrim masat kundër ‘CoViD-19’: “Duhet ta kuptojmë edhe popullatën sepse periudha e pandemisë ka sjellë edhe një izolim të njerëzve. Vikendet janë të stërngarkuara dhe njerëzit kanë nevojë që të çlodhen pak dhe të dalin nga rutina e përditshme. Natyrisht se vikendeve nuk është mirë që të grumbullohen në numër shumë të madh, por edhe nëse vendosin që vikendeve të shkojnë buzë bregdeteve ose liqeneve duhet që sa më shumë të respektojnë distancën sociale, sepse kjo do të jetë në të mirë të tyre dhe në të mirën e përbashkët. Duhet që në vazhdimësi të gjithë të respektojmë masat dhe t’i përshtatemi këtij ‘normaliteti të ri’.”
Të qëndruari në ambient të hapur, është këshillë edhe e psikologëve, në mënyrë që t’i përballojmë sa më lehtë edhe në mënyrë psikologjike ndryshimet që ka sjellë pandemia globale, mirëpo duke mos harruar për asnjë sekondë, të mbajmë distancën më të tjerët, të mbajmë maskën dhe higjienën.