Kafshët endacake në vend po vazhdojnë të përballen me probleme të shumta, duke rrezikuar shëndetin e tyre nga uria, strehimi dhe pa mbrojtjen e duhur. Në Kosovë në vitin 2005, është miratuar ‘Ligji Për Përkujdesjen ndaj Kafshëve’, ku me këtë ligj rregullohet mbajtja, kujdesi, strehimi, mbarështimi, transportimi dhe çështje të tjera të lidhura me përkujdesjen ndaj kafshëve. Megjithatë, ende ka probleme të shumta me mbrojtjen, strehimin dhe aspekte të tjera të kujdesit ndaj kafshëve endacake, të cilat nuk marrin trajtimin e duhur.
Për të mësuar më shumë rreth sfidave dhe gjendjes së kafshëve endacake, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me themeluesen dhe drejtoreshën e ‘Fondacionit për Mbrojtjen e Kafshëve’, Elsa Ramadani, e cila tregoi rreth sfidave me të cilat përballen kafshët endacake: “Qentë dhe kafshët endacake në Kosovë nuk e kanë fare një jetë të mirë. Strehimore të madhe ende nuk kemi, vetëm strehimore private ku edhe në disa prej tyre nuk respektohet dhe mbrohet mirëqenia e kafshëve. Komuna e Prishtinës është duke ndërtuar qendrën për kafshët endacake, ku kafshët do të kastrohen dhe sterilizohen. Në Kosovë, ne besojmë që ka rreth 40 mijë qenë endacak, që nuk kanë trajtimin e duhur.”
Zonja Elsa porositi të gjithë qytetarët, që të kujdesen për kafshët endacake në mënyra të ndryshme, duke ushqyer apo duke adaptuar por edhe të paraqesin raste të abuzimeve dhe keqtrajtimeve ndaj kafshëve në organet kompetente.