Jetë e bukur, luksoze dhe shëtitje gjithandej botës, mund të gjenden në profile të shumë njerëzve në Instagram. Dhe pikërisht kjo, në bazë të hulumtimeve të fundit, e bënë Instagramin të rezultojë si rrjeti më i keq shoqëror për shëndetin tonë mendor. Se cili është ndikimi psikologjik i dukurisë së të shfaqurit perfekt në Instagram, Radio KFOR-i ka intervistuar psikologen e specializuar në psikologjinë sociale dhe psikoterapi, Dafina Prokshi, e cila tha: “Duke u nisur nga fakti që telefonat dhe pikërisht rrjetet sociale janë bërë pjesë instiktive e rutinës tonë, tregon se lidhja e njeriut me rrjetet sociale tanimë është e pashkëputshme. Nëse mundohemi të evidentojmë anët pozitive dhe negative të rrjeteve sociale tek shoqëria, fatkeqësisht studimet tregojnë një vlerësim të lartë tek anët negative të rrjeteve sociale duke ndikuar kështu direkt në shëndetin mendor. Gjithçka fillon nga ‘ Krahasimi’ – kjo dukuri e padukshme por natyrale që drejton perceptimin tonë, ajo që transmetohet në Instagram dhe në përgjithësi në rrjetet sociale, nuk tregon as 10% të realitetit , por besueshmëria ndaj asaj që shoqëria sheh, fatkeqësisht është e lartë. Andaj ndikimi negativ arrihet shumë lehtë, ngase njerëzit e besojnë këtë botë virtuale dhe të pa vërtetë! Në fakt rrjetet sociale më shumë tregojnë se çfarë duam të jemi dhe si duam të dukemi se sa çfarë në të vërtetë jemi.”
Sipas ekspertëve socialë, presioni për të paraqitur jetën e përsosur në internet është i vërtetë dhe 62% të njerëzve ndihen të papërshtatshëm kur krahasojnë jetën e tyre me të tjerët në internet. Andaj, për të gjithë ju që jeni duke e lexuar këtë artikull në Radio KFOR, mos harroni që jo gjithçka që shihni në rrjetet sociale veçanërisht në Instagram, është e vërtetë dhe krahasimi i jetës tuaj me jetën e ‘rreme’ të Instagramit, vetëm se do të ju ndikoj negativisht në shëndetin mendor.