Në shumë vende të botës, këtë javë ka filluar ‘Java Ndërkombëtare e Edukimit’, për të shënuar rëndësinë e edukimit dhe shkëmbimit në fushën e arsimit.
Asistentja e qendrës ‘American Advising Center’ në Prishtinë, Drita Syla, në një intervsitë për Radio KFOR-in shpalosi mundësitë e shumta që ofron ky panair:
“Ky panair organizohet për herë të parë në Kosovë, ku do të marrin pjesë studentë të cilët tashmë kanë përfunduar studimet në universitete amerikane dhe do të ndajnë përvojën e tyre të studimeve dhe të informojnë nxënësit e tjerë rreth mundësive të studimeve në Amerikë dhe për mundësinë e bursave të ndryshme që mund të aplikojnë studentët nga Kosova. Universitete të ndryshme do të marrin pjesë si universiteti ‘Yale’, universiteti ‘Arizona State’, universiteti ‘Columbia’ pastaj universiteti ‘Washington State’ e shumë universitete të tjera”, tregoi Znj. Drita.
Për nder të kësaj dite ‘Ambasada e Amerikës në Kosovë’ në bashkëpunim me ‘American Advising Center’ në Prishtinë, kanë organizuar panairin për mundësinë e studimeve në Amerikë ‘USA Alumni Fair 2018’, që do të fillojë nesër (15.11.2018), në ambientet e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës.
Studentë të cilët tashmë kanë diplomuar në Amerikë do të kenë mundësi të ndajnë përvojat e tyre në këtë panair, mirëpo edhe universitete të shumta do të paraqesin programet e tyre studimore për studentët nga Kosova.
Panairi në fjalë do të jetë një ditorë dhe do të jetë i hapur nga ora 14:30 deri në orën 17:00.