Në kuadër të ‘Javës së Tokës’, janë duke u realizuar aktivitete të njëpasnjëshme në dobi të ambientit, të cilat tashmë kanë nisur në Skenderaj, për të vazhduar me mbjelljen e fidaneve dhe vendosjen e shportave në Lagjen 028 Fushë Kosovë, organizuar nga ‘LetsDoItKosova’. Këto aktivitete me datën 22 prill kanë vazhduar në fshatin Shillovë të Gjilanit, ku janë larguar mbeturinat e grumbulluara, në të njëjtën datë ka pasur aksione pastrimi edhe në Prizren, në Prishtinë, ku ‘Let’s do it Kosova’, i është bashkuar komunës së Prishtinës për të pastruar edhe në lagjen ‘Fusha e Pajtimit’.
Aktivitetet të ngjashme do të vazhdojnë edhe më tutje, ku sot (23 prill), ‘Let’s do it’ në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, komunën e Prishtinës dhe OJQ të tjera, do të pastrojnë në Parkun e Arinjve, në Badovc, për të vazhduar më pas edhe me mblelljen e fidaneve si dhe me aksione pastrimi në hapësirat e Kampusit Universitar. Ndryshe, të tilla aktivitete do të zhvillohen deri më 27 prill, në qytete e fshatra të ndryshme të Kosovës, me qëllimin e vëtëm, krijimin e një mjedisi sa më të pastër për të gjithë.