Jetojmë në epokën e teknologjisë, ku po thuaj se në çdo ditë të re, kemi një zbulim të ri nga teknologjia. Edhe në javën e dytë të vitit 2021, bota e teknologjisë nuk ka dështuar të na sjellë të reja të shumta.
Më poshtë ju sjellim ngjarjet kryesore teknologjike që shënuan këtë javë që po e lëmë pas:
Pasi Elon Musk kërkoi që ndjekësit “të largohen nga WhatsApp”, ‘Signal’ po vërshohet me një valë kërkesash: Bashkë me ndryshimet që WhatsApp po sjell në kushtet e përdorimit, ka ngritur polemika gjithandej. Elon Musk ka qenë në mesin e shumë përdoruesve të WhatsApp-it, të cilët po i shohin me dyshim kushtet e reja të përdorimit të këtij aplikacioni, pasi sipas tyre thyejnë privatësinë. Andaj një numër i madh i përdoruesve kanë filluar shkarkimin në masë të madhe të aplikacioneve rivale të WhatsApp-it, siç janë Signal dhe Telegram. Madje, shefi i Tesla Inc dhe i SpaceX, Elon Musk, doli edhe me një reagim ku rekomandonte përdoruesit të ndërrojnë shërbimet, duke kërkuar që të ‘përdorin Signal’. Si rezultat, pas këtij postimi të Musk, në Twitter, aplikacioni Signal u përfshi nga një valë e madhe e përdoruesve të cilët braktisën WhatsUpp-in.
Japonia do ta shpëtojë hapësirën nga ndotja: Aktualisht janë rreth 5 mijë satelitë që rrotullohen në hapësirë, mijëra kilometra sipër nesh, sikur kjo të mos mjaftoje, në të ardhmen, mendohet që njerëzimit do t’i duhet të dërgojë të paktën edhe 1.000 satelit të tjerë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Efektet e këtij mbipopullimi teknologjik, po lënë edhe pasoja të rënda në atmosferë. Por duket që me zbulimin e satelitëve të rinj japonez, në të ardhmen do të ketë shumë më pak dëme sa i përket atmosferës. Kompania japoneze, Sumitomo, ka deklaruar se në bashkëpunim me Universitetin e Kyotos, po projektojnë një seri materialesh me bazë druri, që sipas pretendimeve të tyre do të përbëjnë pjesën më të madhe të satelitëve të ardhshëm. Materialet prej druri, që duhet të durojnë lëkundje të temperaturave të larta, do të jenë faza e parë që do të çojë më pas në realizimin teknik të satelitit, në një projekt që mund të shndërrohet në realitet në vitin 2023.
Reziston tregu i celularëve me butona: Kemi menduar se shumë pak vite do të duhen kur gjeneratat e reja nuk do të dinë se çfarë është një “celular me butona”. Por, befasisht telefonat që tashmë është menduar se po u ikën koha, po vazhdojnë me ‘rezistu në treg’. Sipas ”Counterpoint Research”, më shumë se 74 milionë prej këtyre pajisjeve, celularëve me butona, u shitën në të gjithë botën gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020. Lindja e Mesme dhe rajoni i Afrikës është tregu më i madh për këto pajisje.