Që nga muaji mars kur edhe janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, të gjitha Institucionet e vendit janë mbyllur, përfshirë edhe ato kulturore, teatrot dhe kinematë e vendit.
Së fundmi, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka lejuar pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS-së dhe komunave, teatrove, bibliotekave, filarmonisë, galerive etj. Më shumë hollësi në lidhje me këtë vendim për Radio KFOR-in foli, Drejtori i departamentit të Sportit në MKRS z. Ibër Alaj: “Pjesërisht tashmë lejohen aktivitetet kulturore të institucioneve kulturore të Kosovës, përfshirë teatrot, galeritë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës, kjo duke shfrytëzuar vetëm 40 % të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Përqindja e shfrytëzimit të hapësirave do të vlejë për të gjitha aktivitetet, si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime, duke u bazuar në manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19” tha z. Alaj.
Se sa e ngazëllyer është, që përfundimisht u kthyen në shtëpinë e tyre të dytë, në Teatrin Kombëtar, aty ku kalojnë kohën më të gjatë të ditës, për Radio KFOR-in foli edhe balerina e Trupës së Baletit të Kosovës, Behije Murtezi: “Më në fund jemi shumë të lumtur që rifilluam punën dhe u rikthyem në Teatër, megjithëse kushtet për punë nuk janë aspak në nivelin e duhur, por shpresojmë që viti 2021, të jetë shumë më i mirë për gjithë botën e po ashtu edhe për Baletin e Kosovës’, tha znj. Murtezi.