Pas takimit të Ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Likaj dhe Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj me përfaqësues të tjerë të institucioneve arsimore në vend, është vendosur që me 14 shtator, të filloj viti i ri shkollor 2020/2021. Institucionet arsimore dhe nxënësit do të fillojnë këtë vit në rrethana krejtësisht të reja, që do të jenë në përputhje me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, për parandalimin e përhapjes së ‘COVID-19’.
Drejtoresha në shkollën fillore dhe të mesme të ulët ‘Faik Konica’, në Prishtinë, Jehona Oruqi, për Radio KFOR-in tregoi për përgatitjet dhe mobilizimin që kanë bërë në bashkëpunim me komunën e Prishtinës për të filluar vitin e ri shkollor: “Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kemi bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, duke respektuar të gjitha rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit dhe protokollit të komunës së Prishtinës. Kemi të gjitha udhëzimet se si të sigurojmë nxënësit brenda në shkollë se si të mbajnë distancën, pastërtinë si dhe reagimet që do të bëjmë në rast që kemi ndonjë rast brenda shkollës. Gjithashtu kemi krijuar edhe task forcën e shkollës, që ka planin e veprimit dhe rregulloren për prindër, nxënës dhe mësimdhënës për çdo rast, në çdo moment, se si ata duhet të reagojnë. Të gjithë nxënësve ju uroj vit të mbarë shkollor dhe i inkurajoj nxënësit të dëgjojnë prindërit dhe të respektojnë rregullat që kemi vendosur në mënyrë që të mos e rrezikojmë njëri-tjetrin, të mos bëjmë panik dhe gradualisht t’i kthehemi normalitetit.”
Vitit të ri shkollor iu gëzuan edhe nxënësit të cilët kanë qenë të ndarë fizikisht për disa muaj nga objektet shkollore, duke ndjekur mësimin online. Nxënësi i klasës së tretë në shkollën ‘Meto Bajraktari’ në Prishtinë, Landër Baholli, shprehu gëzimin që do të kthehet sërish në shkollë: “Jam shumë i lumtur që do të kthehem sërish në shkollë sepse do të takoj mësuesen dhe shokët e shoqet e mi, por prindërit më kanë treguar dhe mësuesja që duhet të kemi kujdes, të lajmë duart sa më shpesh, të mbajmë distancë me njëri-tjetrin dhe mezi pres të mësoj gjëra të reja këtë vit.”
Viti i ri shkollor këtë vit fillon me një normalitet të ri, që pret adaptim dhe bashkëpunim të nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve, për të siguruar dhe për t’u mbrojtur nga pandemia ‘Covid-19’.