Me gjithë situatën e krijuar nga pandemia e CoViD-19, teknologjia nuk ka ndaluar asnjëherë, përkundrazi edhe përgjatë këtyre muajve shpesh jemi befasuar nga inovacionet. Javën që sapo kemi lënë pas, Kina na i prezantoi robotët inteligjentë që po përdoren për të ndihmuar pastruesit e rrugëve të shkarkojnë mbeturinat në Shenzhen, të Kinës. Robotët kanë depozitë prej 660 litrash, të shkëputur nga automjeti për mbledhjen e mbeturinave dhe lëvizin përgjatë një rruge të projektuar nga radarët, për ta dorëzuar depozitën me mbetje në stacionin e caktuar. Robotët janë zhvilluar nga kompania “Sagacity Environment” dhe mund të regjistrojnë informacione, duke përfshirë peshën e mbetjeve në depozita.
Kur jemi tek ambienti, anije pa drejtues dhe dronë të pavarur, një ditë mund të përdoren për riparimin e turbinave të erës në det të hapur dhe pastrimin e plastikës në oqeane. Është ekipi nga Universiteti i Bristolit, që ka krijuar dronë që mund të kryejnë riparime në turbinat e erës në det të hapur dhe përdorimi i këtyre pajisjeve, nënkupton që më pak njerëz duhet të punojnë në mjedise të tilla të rrezikshme. Shkencëtarët e kësaj teknologjie thonë se ajo mund të fillojë të përdoret brenda pesë vjetëve.
Nëse shkoni në Holandë, mos u çudisni nëse shihni në rrugë ‘vetura me tre rrota’. Kjo, pasi vetura e parë fluturuese me tri rrota e prodhuar në Holandë, ka marrë dritën e gjelbër dhe mund të dalë edhe nëpër rrugë. Vetura, emri i së cilës është PAL-V Liberty, ka çmim prej 300 mijë euro dhe ka kapacitete të zhvillojë shpejtësinë prej 180 kilometra në orë.