Ridizajnim i logo-ve, orientim i punës në krijimin e ventilatorëve e pajisjeve për frymëmarrje, janë vetëm disa nga hapat që kompanitë e mëdha teknologjike gjithandej botës, kanë ndërmarrë për të luftuar dhe për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Radio KFOR-i ka kontaktuar me Z. Agon Vitia, i cili ka studiuar fushën e teknologjisë dhe tregon se si sot, kompani botërorore po sjellin inovacione në kohën e pandemisë së COVID-19: “Nësë flasim për muajt e fundit, ndikimi i virusit Covid-19 është reflektuar edhe në teknologji. Shumë kompani, tërë kapacitetet e tyre i kanë përqendruar tek ndihma që mund ta ofrojnë në luftën kundër kësaj pandemie, nga qindra e miëjra aplikacione që janë zhvilluar nga programerë, nga e gjithë bota për t’i ndihmuar popullatës me informacion dhe në mënyra të ndryshme, deri te kompani të mëdha që kanë zhvilluar paisje të ndryshme medicinale të nevojshme në këtë kohë. Që vlen më së shumti të ceken janë kompanitë e automobilizmit “General Motors”, “Ford” dhe “Tesla” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë premtuar për prodhimin e më shumë ventilatorëve. Gjithashtu në Mbretërinë e Bashkuar, studiues të “University College”, në Londër, bashkë me kompaninë Mercedes dhe Formula 1, kanë zhvilluar një paisje të quajtur ‘CPAP’, e cila ndihmon në këtë drejtim si zëvendësim i ventilatorëve.”
Ndërsa, McDonald’s, Coca-Cola, Audi dhe Volkswagen janë vetëm disa nga kompanitë botërore që po interpretojnë “distancimin shoqëror”, me dizajnimin e logos së tyre. Ndërkohë, teknologjia e inovacionit, vazhdon të jetë kryefusha e shumë vendeve në botë. Gjatë vitit 2019, vendet që kanë qenë në krye të listës së inovacionit janë Zvicra, Suedia, Danimarka dhe Finlanda, të cilat kanë investuar shumë në edukim, në fushën e teknologjisë dhe kjo ka dhënë edhe rezulatatin e vet.