Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë cilësinë më të ulët të ajrit në Evropë, prandaj përfaqësuesit e kampanjës “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër”, u bëjnë thirrje institucioneve kompetente dhe qytetarëve në rajon për të parandaluar deri në 13.500 vdekje të parakohshme, çdo vit.
Qytetarët e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut si dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës, janë të ekspozuar njësoj ndaj ndotësve të ajrit. Pikërisht për këtë, Radio KFOR-i kontaktoi menaxherin e projekteve në “Sbunker”, Paris Guri, i cili për këtë projekt tha: “Së bashku me iniciativën “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër”, e kemi parë të arsyeshme se duhet të mblidhemi i gjithë Ballkani bashkë, sepse nëse është ajri i ndotur në Kosovë do të ndikojë edhe tek ajri në Serbi si dhe anasjelltas. Për momentin jemi duke i mbledhur disa statistika dhe hulumtime ku jemi duke i publikuar shqetësimet tona, siç janë vdekjet e njerëzve nga ajri i ndotur. Tash është edhe më problematike për shkak të CoVid-19, i cili po i prekë organet e frymëmarrjes por edhe ajri i ndotur është duke e bërë të njëjtën gjë, i shkaktuar nga termocentralet, nga ngrohja me thëngjill si dhe nga makinat e shumta në rrugë.”
Në një studim të botuar nga HEAL, Sandbag, CAN Europe, CEE Bankwatch dhe Europe Beyond Coal, thuhet se në vitin 2016, gjashtëmbëdhjetë termocentrale me thëngjill në Ballkanin Perëndimor, numër i cili mbetet i njëjtë deri më sot, kanë emetuar më shumë dyoksid squfuri (SO2) sesa 250 të tilla që veprojnë në Bashkimin Evropian së bashku.