Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK), sot 27 janar, nga ora 13:00, online, organizon projektin “Mbështetja e punësimit të të rinjve dhe grave në zonat rurale përmes zhvillimit të bujqësisë”, duke përfshirë Komunën e Mitrovicës Jugore dhe Komunën e Shtimes, të cilat janë gjithashtu bashkë-aplikuese në projekt.
Lidhur me këtë aktivitet, Radio KFOR-i kontaktoi, menaxherin e projektit në fjalë, Elion Gërguri, i cili tha: “Sot do të mbahet ceremonia e projektit, ku do të mbështeten 90 punëkërkues me trajnime profesionale në “Planifikim dhe menaxhim të biznesit”. Nga ky numër, 55 persona do të mbështeten me grande bujqësore në vlerë nga €3.000 deri në €5.000. Po ashtu, përmes këtij projekti do të rritet roli i Zyrave të Punësimit dhe Qendrave të Aftësimit Profesional në Komunën e Mitrovicës Jugore dhe Komunën e Shtimes, duke u mbështetur me pajisje teknologjike. Gjithashtu, 20 studentëve nga fakultetet bujqësore do t’iu mundësojmë punë praktike, me pagesë, në kompani, organizata dhe institucione si dhe trajnime për t’u qasur sa më lehtë në tregun e punës.”
“Mbështetja e punësimit të të rinjve dhe grave në zonat rurale përmes zhvillimit të bujqësisë” është projekt dy-vjeçar (2020-2022) dhe financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.