Ashtu sikurse mjekët, të cilët gjithandej botës u shpallën heronj të pandemisë edhe ndaj profesionit të gazetarisë, bota shprehu mirënjohje për punën, angazhimin, sfidat dhe rreziqet me të cilat u përballën gazetarët, përgjatë pandemisë CoViD-19.
Për të prekur edhe më nga afër sfidat e gazetarëve përgjatë kësaj periudhe, Radio KFOR-i ka intervistuar gazetaren dhe moderatoren e Radio Kosovës, znj. Bardha Shkreli, e cila konsideron që sfidë e gazetarisë ka qenë edhe informimi i drejtë: “Shpërthimi i virusit ‘CoViD-19’ në të gjitha vendet, shkaktoi panik në përmasa të përgjithshme në publik dhe kërkesa për informacion, u rrit në përmasa të jashtëzakonshme. Si rezultat i kësaj, mediat u shndërruan në burim të pazëvendësueshëm të informimit të popullsive, për të mbajtur kontrollin mbi informacionin. Ndërkohë që përvoja ime, në raportimin e epidemive të përmasave më të vogla si gripi i derrit apo ethet hemorragjike të krimeve kongo, nuk mungonte dhe raportimi për ‘CoViD-19’ në fillimet e tij, paraqiste sfidë ne vete. Rreziku ishte se mund të binim pre e “përmbajtjeve jo të besueshme” . Duhet të kishim shumë kujdes sidomos me intervistat që zhvillonim me të prekurit me ‘CoViD-19’ apo me familjarët e tyre. Ka pasur raste kur deklaratat e tyre binin në kundërshtim me atë se çfarë thoshin profesionistët shëndetësor, sidomos kur disa pretendonin se janë prekur për të dytën herë radhazi me këtë virus. Megjithatë, meritën më të madhe në këtë aspekt e kanë stafi shëndetësorë, të cilët kanë qenë të gatshëm tu përgjigjen kërkesave tona në çdo kohë dhe të japin sqarimet e nevojshme, për “luftën” tonë të përbashkët ndaj virusit ‘CoViD-19’. Prandaj, falë bashkëpunimit me ta në mënyrë aktive, kemi potencuar vetë burime të sakta.”
Informimi i drejtë është thelbi i gazetarisë së mirëfilltë, ashtu sikurse gazetarja Bardha, në një kohë kur informacioni është pothuajse i pakontrolluar, të gjithë gazetarët e botës po përballen me ‘luftën’ kundër keqinformimit.