Nga data 1 korrik 2021, pritet të fillojë aplikimi i modelit RLAH dhe parapaguesit gjatë qëndrimit në njërin nga vendet e Ballkanit Perëndimor (BP), nuk do të paguajnë asnjë tarifë shtesë për shërbimet e rregulluara të roamingut. Në një përgjigje me shkrim nga Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), për Radio KFOR-in njoftuan se nuk ka shtyrje të afateve të implementimit të fazave, ku ndër të tjera thuhet: “Më datën 14 shkurt, 2021, ka përfunduar konsultimi publik i Draft Rregullores për zbatimin e politikës së drejtë dhe për metodologjinë e vlerësimit të qëndrueshmërisë së heqjes së tarifave të roamingut me pakicë, për marrëveshjen e roamingut në mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo rregullore pritet të miratohet së shpejti, me çka do të përmbyllet legjislacioni i nevojshëm për fillimin e zbatimit të fazës së dytë, respektivisht heqjen e tarifave të roamingut nga data 01 Korrik, 2021.”
Gjatë periudhës transitore tarifat maksimale që parapaguesi do të paguaj, gjatë qëndrimit në vendet me përdorimin e roamingut në njërin nga vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk duhet të kalojnë pragun (çmimi pa TVSH): 0.19€ për min. për thirrjet e realizuara (në drejtim të operatorëve të vendeve të BP, duke përfshirë edhe operatorët vendorë), 0.06€ për SMS të dërguar dhe 0.18€ për MB shfrytëzuar.