Halloween, është një nga festat më të vjetra në botë dhe fillimisht ishte organizuar nga keltët të cilët jetuan 2000 vjet më parë, kryesisht në zonën e Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Në këtë ditë ‘të frikshme’, njerëzit maskohen me kostume të ndryshme, të frikshme apo me personazhet e preferuara nga librat, filmat, profesionet e njerëzve apo kultura masive.
Sipas Google Trends, këtë vit kërkimet më të mëdha të kostumeve në internet mbesin ato të shtrigave, të kafshëve dhe të heronjve të filmave. Megjithatë, një trend i ri këtë vit do të jenë veshjet nga personazhet e serialeve më të njohura kryesisht nga Netflix, siç është edhe seria e njohur ‘Squid Game’, ku personazhet paraqiten me një veshje të njëjtë e të thjeshtë, përderisa të tjerë janë me rroba të kuqe dhe me maska. Një trend tjetër i veshjeve për Halloween këtë vit, është edhe imitimi i personave të njohur, me veshjet e tyre nga parakalimi në tepihun e kuq në ‘Met Gala’, siç ishte veshja me të zeza e Kim Kardashian, pastaj reperi Lil Nas X dhe artistë të tjerë.
Sa i përket fëmijëve edhe këtë vit të preferuara mbesin kostumet e bazuara në personazhet e filmave vizatimor apo atyre të animuar po ashtu edhe personazhet e librave për fëmijë. Derisa tashmë këtë vit me zhvillimin e teknologjisë, të pranishme do të jenë edhe personazhe të tjera nga programet për fëmijë në youtube.