“Në sporte ka vetëm një fitues, në muzikë fitues janë të gjithë.” Dhe padyshim që muzika e viteve të 90-ta nxori shumë fitues, pasi edhe sot mbetet si dekada më e pasur ndonjëherë për nga shumësia e rrymave të reja muzikore. Ndër ikonat e paharruara të viteve 90’, është padyshim vokalisti i ndjerë i bendit “Nirvana” – Kurt Cobain, i cili bashkë me grupin vendosi standard të ri për muzikën ‘grunge’, të viteve ’90-ta dhe hapi derën për miliona adhurues të muzikës rock. Kënga “Losing my religion” nga R.E.M, e publikuar në vitin 1991 ishte dhe mbetet kënga identifikuese e grupit në fjalë. Madonna, e cila njihet si “Mbretëresha e Muzikës Pop”, gjithashtu është e njohur edhe për shtytjen e kufijve të krijimtarisë muzikore. Kënga “Frozen”, mbetet hit i viteve të 90-ta bashkë me kngëtaren Madonna, që pushtoi top listat e asaj kohe.
Ndër këngëtaret më të spikatura të viteve të 90-ta, janë edhe Cher e Shania Twain, ku secila prej tyre, si artiste solo kanë shitur mbi 100 milion inçizime në të gjithë botën, duke u bërë artistet më të shitura të muzikës, të të gjitha kohërave. Cher theu tregun me këngën “Believe” ndërsa Shania me këngën “Man, I feel like a woman”. Vitet e 90-tha shënuan periudhën kur mori hov muzika RAP, e këtë hov pikërisht e mori për shkak të talentit të reperit ikonë 2PAC. Kënga “Changes”, padyshim është një prej hiteve më të mëdha të reperit, e incizuar fillimisht në vitin 1992.
Në gjysmën e dytë të viteve të 90-ta, skena botërore do të pushtohej nga grupet e vajzave dhe djemve që krijuan hite që gjithmonë do të mbahen në mend. Spice Girls grupi i vajzave britanike me hitin “Wannabe”, fillimisht solli një frymë krejt të re në muzikë, pastaj ishin Destiny’s Child që lansuan hitin e paharruar “Say my name”, e gjithashtu edhe grupi i djemve NSYNC, me Justin Timberlake dhe hitin e tyre “Music of my heart”.
Nuk mund të flasim për të 90-tat pa i përmendur dy fytyrat më simpatike të kësaj periudhe: Britney Spears, e cila goditi tregun me hitin “Baby one more time” dhe Christina Aguilera me “Genie in a bottle”.