Aktiviteteve të shumta po shënohen me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë ‘Covid – 19’, në mesin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, mirëpo këtyre aktiviteteve vendore që nga 16 marsi iu është bashkuar edhe organizata gjermane ‘Help Kosovo’.
Drejtoresha e kësaj Organizate, Shqipe Breznica, në një deklaratë për Radio KFOR-in, ka bërë të ditur se së fundmi se ata kanë filluar financimin e një projekti që mundëson prodhimin e maskave plastike 3D edhe për foshnje: “Kjo ide për maska me mburojë të plastikës që ne po e financojmë është e një studenti të UBT-së, Arbnor Demaj, i cili është edhe dizajner. Faktikisht, kërkesën për ndihmë e ka bërë profesori i tij, Gazmend Ejupi dhe ne si ekip vlerësuam se duhet ta financojmë. Këto maska, Arbnori, po i prodhon në shtëpinë e tij në Istog, me printerin e tij 3D. Kërkesa e Arbnorit fillimisht ishte për ndihmë për blerjen e lëndës së parë për prodhimin e maskave për ekipin mjekësor, por në takimin e stafit tonë u inspiruam edhe nga mungesa e maskave të tilla për foshnja në Kosovë, të cilat nuk ishin mbuluar fare deri më tani. Andaj, u inspiruam nga shtetet që veçse po e bëjnë një gjë të tillë. Ne si organizatë përkrahim Arbnorin, në këtë rast kompaninë e tij ‘Maro Product’ me fonde. Në momentin që do të jenë gati këto maska, ne do t’i shpërndajmë. Fillimisht kemi menduar t’ua shpërndajmë në Departamentin e Neonatologjisë në QKUK, apo edhe në Departamentin e Gjinekologjisë, apo kudo që kanë nevojë. Maska për bebe është jashtëzakonisht e lehtë, vetëm 10 gram, e cila po ashtu ka edhe sfungjerin që nuk e dëmton kokën e fëmiut.”
Tutje, drejtoresha Breznica, njoftoi se ditëve në vazhdim do të shpërndajnë pako ushqimore dhe higjienike edhe në Komunën e Graçanicës, me prioritet komunitetet pakicë, si Rom, Ashkali dhe Egjiptian, por pa përjashtuar edhe komunitetin serb. Pas Graçanicës, pako të tilla do të shpërndahen edhe në Komunën e Mitrovicës.