Të kesh aftësi të kufizuara, çka do të thotë kjo në Kosovë? Kësaj pyetje i është përgjigjur me një ekspozitë “Embrace Me-Kosovo”, e cila është hapur në ambientin e ‘Shtëpisë së Evropës’, në Prishtinë.
Lidhur me këtë ngjarje, ne kemi kontaktuar me udhëheqësin e marrëdhënieve me publikun në ‘Down Syndrome Kosova’, Alban Fejza, i cili për Radio KFOR tha: “Embrace me Kosovo, është një ekspozitë fotografie që vë në qendër të vëmendjes personat me aftësi të kufizuar. Përmes prezantimit të jetës së përditshme të 9 personave, bëhet thirrje që t’i kushtojmë vëmendje këtij komuniteti që është pjesë e shoqërisë po aq sa çdokush tjetër në të.”
Me porosinë “Unë jam pjesë e kësaj jete, unë jam këtu, më përqafo Kosovë!”, personazhet e fotografive të “Embrace Me-Kosovo”, do të jenë të pranishëm përgjatë ekspozitës, duke treguar se kush janë ata, të dëshmojnë se janë këtu, pjesë e botës, kanë arsye të jenë këtu dhe të jenë pjesë e shoqërisë, e drejtë kjo të cilën e gëzon secili nga ne.
Ekspozita e fotografive “Embrace Me-Kosovo”, do të jetë e hapur deri më 14 dhjetor në ‘Shtëpinë e Evropës’.