Organizata ‘Etea’ ka vazhduar projektin e hapjeve të mini bibliotekave në lagje të ndryshme të Prishtinës. Kjo organizatë ka për qëllim që nëpërmes këtij projekti të forcojë arsimin publik përmes promovimit të leximit tek të rinjtë dhe përmirësimin e praktikave arsimore në Kosovë.
Sot (12.12) nga ora 10:00 është bërë përurimi edhe i dy mini biblotekave të tjera në qytet njëra në sheshin kryesor të Prishtinës, ndërsa tjetra bibliotekë pranë Kampusit Universitar të ‘Universitetit të Prishtinës’. Në një intervistë për Radio KFOR-in drejtori i organizatës jo-qeveritare ‘Etea’ Agon Ahmeti, tregoi për hapjen e këtyre bibliotekave duke treguar për gjithë procesin e zhvillimit të projektit:
“Po bëhen gati 2 muaj që kemi filluar këtë projekt, sot u hapën edhe 2 biblioteka. Fatkeqësisht është dashur ta pezullojmë procesin pasi që disa nga mini bibliotekat janë dëmtuar ku janë vjedhur librat, por lajmi i mirë është që ne do të vazhdojmë projektin me bashkëpuntorët tanë por tani kemi vendosur kamera pranë këtyre mini bibliotekave”.
Agoni tregoi ekskluzivisht për Radio KFOR-in, se me 26 dhjetor të këtij viti do të mbahet një ngjarje përmbyllëse e këtij projekti dhe për të gjithë procesin e këtij projekti, ku do të shpalosen projektet e reja për vitin e ardhshëm që do të shtrihemi edhe në qytetet e tjera.
Projekti ‘Mini-bibliotekat e lagjeve’, u mundësua nga organizata ETEA dhe ‘Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës’, në bashkëpunim me Librarinë Dukagjini, përkrahur nga ‘Forumi për Iniciativa Qytetare’ me burim financiar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës.