Në mes të pandemisë globale, masave parandaluese e rigoroze, tashmë në disa vende për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me ‘CoViD-19’, Halloween i 2020-tës do të shoqërohet edhe më një hënë të plotë dhe blu. Me gjithë situatën e krijuar, Halloween apo në vendin tonë ndryshe njihet edhe si Nata e Shtrigave, mund ta shënojmë në ‘realitetin e ri’. Cineplexx edhe sivjet e vazhdon traditën e shfaqjes së filmave të zhanrit horror, mirëpo këtë vit duke respektuar masat në fuqi për parandalimin e përhapjes së ‘CoViD-19’. Kështu tregoi për Radio KFOR-in, Menaxheri i Marketingut në Cineplexx, Dëfrim Puka: “Këtë vit e kemi një program të dedikuar vetëm për filma horror. Janë 3 filma “Fantasy Island”, “The Invisible Man” dhe e kemi premierë një film horror spanjoll “Malasana”. Për këta tre filma e kemi një super ofertë kur për të gjitha biletat adhuruesit e filmave do të paguajnë vetëm 3 euro. Arsyeja pse kemi vendosë me e mbajt këtë event, është sepse edhe viteve të kaluara gjithmonë kemi pasur shikueshmëri ose shumë vizitorë për Halloween. Duke marr parasysh situatën me pandemi dhe realitetin e ri, jemi përkujdesur që të respektojmë të gjitha masat parandaluese për përhapjen e ‘CoViD-19’. Në hapësirën e kinemasë i kemi vetëm 40% të kapaciteteve të ulëseve në dispozicion për shfrytëzim dhe të gjitha ulëset janë të ndara dy nga dy, pra duke lënë hapësirë mes dy ulëseve, duke siguruar kështu distancën më mes të shikuesve. Në mes të çdo filmi është zgjatur koha kur përfundon një film dhe fillon i ardhshmi në mënyrë që njerëzit të mos kenë kontakte të afërta mes vete.”
Siç na tregoi z. Puka edhe këtë vit Cineplexx do të sjellë edhe skenografi të frikshme, që përkon me tematikën e shënimit të festës Halloween.