Me moton “Gëzoje për festa, dhuro edhe ti”, në kuadër të së cilës janë ndihmuar mbi 100 familje me pako ushqimore, kjo fushatë është realizuar nga vullnetarët e grupit ‘Vullnetarët/Volunteers #COVID-19’, i cili numëron dhjetëra mijëra anëtarë, në bashkëpunim me ‘Meridian Express’.
Një nga menaxhuesit e këtij grupi, Besnik Shabiu, për Radio KFOR-in ka thënë se pandemia ka rënduar gjendjen ekonomike të familjeve në nevojë, andaj është e rëndësishme që secili nga ne të solidarizohet dhe t’u dalë në ndihmë atyre: “Dalja në ndihmë familjeve në nevojë, sidomos në këtë kohë pandemie kur të gjithë po i vuajmë pasojat, është një nga punët më fisnike dhe humane që mund ta bëjmë. Kontributi i gjithsecilit, sadopak është i nevojshëm, sepse edhe nevojat janë jashtëzakonisht të mëdha. Grupi i Vullnetarëve Covid-19 në bashkëpunim me Meridian Express, ndihmuan me qindra familje për festat e fundvitit. Angazhimi ynë do të vazhdojë edhe më tutje. Pandeminë duhet ta luftojmë dhe mposhtim së bashku!”
Në kuadër të fushatës “Gëzoje për festa, dhuro edhe ti” u grumbulluan 120 pako ushqimore, të cilat u ndanë familjeve në nevojë në komuna të ndryshme, si: Gjakovë, Gjilan, Prishtinë, Mitrovicë, Deçan, Fushë Kosovë, Lipjan dhe Ferizaj. Kësaj fushate i ishte bashkuar edhe stafi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), duke dhuruar 13 pako ushqimore si dhe 6 dhurata për fëmijë.