‘Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës’ gjatë tërë vitit bën mbikëqyrjen permanente të influencës sezonale me intensifikim të aktiviteteve gjatë sezonës dimërore. Ky institut ka bërë të ditur se deri në javën e kaluar janë raportuar 5.520 raste me sëmundje të ngjashme me gripin, prej tyre 409 raste janë me infeksion respirator akut dhe 17 raste me infeksion të rëndë respirator akut.
Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me zyrtaren për media në ‘Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike’, Era Pireva, e cila tregoi për gjendjen aktuale të gripit sezonal në vend: “Aktualisht situata epidemiologjike me grip në Kosovë është nën kontroll, sa i përket gjendjes aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë, mirëpo pritet të vazhdojë intensitet i lartë edhe muajin e ardhshëm. ‘Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovë’, ka rritur vigjilencën për t’u përballur me shtimin e mëtutjeshëm të intensitetit të gripit sezonal. Rekomandimet e gjertanishme të Institutit për gripin sezonal do të vazhdojnë dhe vlejnë për tërë Kosovën, duke ritheksuar edhe njëherë masat e domosdoshme në të gjitha institucionet shëndetësore.”
‘Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës’ ka rritur mobilizimin për t’u përballur me rastet eventuale të gripit, duke sjellur rekomandimet që duhet të ndërmerren në mënyrë strikte dhe të kontrollohet efekti i këtyre masave në mënyrë rigoroze.