Organizata kulturore ‘7 Arte’ ka organizuar disa sesione të diskutimeve mbi ambientin dhe mbrojtjen e natyrës. ‘Green Talks’ do të sjellin katër ekspertë në fushën e mjedisit që kanë bërë ndryshime në vendet e tyre duke dhënë kontribut në veprime mjedisore.
Gjatë këtij prezantimi që do të mbahet nesër ( 06.02.2019) në qytetin e Mitrovicës duke filluar nga ora 16:00 në Bibliotekën e qytetit, qytetarët do të kenë mundësi të informohen për mbrojtjen e mjedisit, forcimin e aktivizmin e të rinjve dhe përmirësimin e raporteve ndër-kulturore.
Në një bisedë për Radio KFOR-in koordinatorja e këtij projekti Berna Xhemajli, tregoi më shumë për qëllimin e këtij projekti:
“Green Talks është që ti ndajmë përvojat dhe njohuritë e ekspertëve të ftuar me të rinjtë e Mitrovicës, në mënyrë që të lindin ide e inciativa të reja që kontribuojnë në zhvillim të qëndrueshëm të qytetit si dhe për iniciativa tjera të gjelbërta në qytet” tregoi Berna.
Berna për fund tregoi se ky projekt është mbështetur në kuadër të skemës së granteve “Empower– Engage– Build Ownership”, që financohet nga Bashkimi Evropian, menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe implementuar nga Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).