Festivali i Gjelbër apo ‘Green Fest’ do të fillojë në Prishtinë me datën 19 Shtator, për të prezantuar më shumë se 40 kompani të cilat promovojnë jetën e shëndetshme.
Edicioni i tretë i këtij festivali do të zgjasë deri më datën 21 Shtator 2018 dhe këtë vit organizatorët do t’u ofrojnë qytetarëve trendet e riciklimit, energjisë së ripërtrishme dhe format ekologjike të të jetuarit, tha për Radio KFOR-in, Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, i cili na tregoi edhe për qëllimin e këtij festivali:
“Festivali i Gjelbër edhe këtë vit do të fokusohet në promovimin e kompanive dhe produkteve të gjelbra, duke promovuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe përmisimin e mjedisit në Kosovë. Ky festival do jetë si një platformë rrjetëzimi për bizneset e gjelbra, me donatorët dhe të gjithë akterët relevantë të energjisë së gjelbër, për të ndarë praktikat e qëndrueshme mjedisore të cilat ndajnë qëllimet e përbashkëta globale, për një ambient më ekologjik”, tregoi Panxha.
‘Festivali i Gjelbër’, organizohet nga USAID EMPOWER Sektori Privat në partneritet me ‘Agjensinë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar’, Klubi i Prodhuesve të Kosovës, mbështetet nga GIZ, Ambasada Holandeze në Kosovë dhe përkrahës të tjerë.