“Shfaqja ‘Graviteti’, tregon njerëz që dëshirojnë të largohen nga vendlindja, ata që dëshirojnë të kthehen, ata që largimin nuk e kanë menduar asnjëherë, e të gjitha këto gërshetohen përmes situatave që shkojnë në pothuajse tragjikomedi”, kështu tha për Radio KFOR-in drejtori i teatrit ‘ODA’, Florent Mehmeti, për shfaqjen “Graviteti”, e cila do të ngjitet në skenën e teatrit ‘ODA’, të enjtën, më 23 janar. Në lidhje me shfaqjen, Z. Mehmeti, shtoi gjithashtu: “Shfaqjen ‘Graviteti’ e kemi vendosur në orarin e janarit pas kërkesës së audiencës. ‘Graviteti’ është një shfaqje që flet për lidhjen që kemi me vendlindjen ku ka copëza historike por edhë të ditëve të sotme ku në formë të çuditshme e tregon forcën gravitacionale që i tërheq njërëzit për vendlindjen.”
“Graviteti” ishte dhënë premierë vitin e kaluar, më 01.03.19 me rastin e 16 vjetorit të themelimit të teatrit ‘ODA’, është e shkruar nga Lirak Çelaj, në regjinë e Florent Mehmetit, ndërsa aktorët që luajnë në këtë shfaqje janë: Daniela Markaj, Flamur Ahmeti, Kaltrinë Zeneli dhe Leonit Maloku.