Edicioni i sotëm, 11 shkurt, i ‘Debat n’Shilte’, organizuar nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore (QHPSM), i është dedikuar shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë. Kjo, për të shprehur mirënjohje për rolin e rëndësishëm që luajnë gratë dhe vajzat në shkencë dhe teknologji.
Lidhur me këtë aktivitete Radio KFOR-i ka kontaktuar koordinatoren e projektit në QHPSM, Hana Çafleshi, e cila tregoi për detajet e kësaj ngjarjeje: “Debat n’Shilte është një projekt i organizuar dhe i realizuar nga Qendra për Hulumtime Psiko Sociale dhe Mjekësore. Qëllimi i këtij projekti, është ngritja e vetëdijesimit të shoqërisë për temat si edukimi, shëndeti mendor, mjekësia, etj., përmes debateve interaktive. Para periudhës pandemike ato debate janë zhvilluar në ambiente të rehatshme dhe jo formale, ku folësi dhe pjesëmarrësit duke qëndruar të ulur në shilte, diskutonin në lidhje me temat e përcaktuara nga grupi jonë punues, e tash po i mbajmë këto debate online. Për këtë edicion të Debatit n’Shilte, për nder të “Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë”, do të diskutohet për rolin e grave dhe vajzave në shkencë. E ftuar për këtë javë është Dr. Sc. Blerta Perolli-Shehu – Prodekane për Çështje Mësimore në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Znj. Perolli-Shehu do të ndajë me ne përvojat e saja personale në fushën e shkencës si dhe do të na tregoj më shumë për rrugëtimin e vajzave dhe grave, përpjekjet e tyre për të siguruar pjesëmarrje të barabartë.”
Debati do të mbahet sot live ,përmes faqes së Facebook të Qendrës për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, me fillim nga ora 18:00.