“Futbolli nuk është për femra”, kjo bindje ka ndryshuar rrënjësisht në vendin tonë, falë sukseseve të shumta të femrave, të cilat po dallohen edhe në futboll. Shembulli më i mirë dhe e kundërta e thënies së lartpërmendur është futbollistja, 18 vjeçare, Fortesa Berisha nga Komuna e Malishevës, e cila me futboll merret që nga mosha 11 vjeçare dhe luan për Klubin Futbollistik “Malisheva”.
Në moshën 14 vjeçe ajo morri ftesën e parë për Kombëtaren U-16 për të kaluar tutje në U-19 dhe U-21. Gjatë kësaj kohe Fortesa pati mundësi të luaj me shtete të ndryshme të botës, ku shfaqi talentin e saj prej një futbollisteje të suksesshme. Talentin e saj e ka vërejtur edhe një klub nga Shtutgarti i Gjermanisë, ku pas provës së parë i ofroi kontratën, që pritet të realizohet në fillim të muajit shtator të këtij viti.
Në një intervistë për Radio KFOR-in, Fortesa është shprehur se ndihet mjaft e emocionuar për këtë arritje dhe nuk e fshehu dëshirën e saj që në të ardhmen dëshiron të vesh fanellën e Real Madrid-it. E pyetur, për të ndarë një moment të veçantë nga karriera e saj, ajo veçoi: “Kemi qenë në Estoni dhe në minutën e parë, në sekondën e 56, kam shënuar gol. Në atë lojë kam shënuar 3 gola dhe normal që është një prej emocioneve që nuk mund të përshkruhen. Ka qenë një rastësi se lojtari im i preferuar është Ronaldo, e në të njëjtën ditë edhe ai ka shënuar tre gola, me këmbën e djathtë, të majtën dhe me kokë dhe të njëjtat i kam bërë edhe unë, e ky është momenti më i mirë i jetës sime.”
Radio KFOR-i pati mundësi të kontaktoj edhe trajnerin e Fortesës, Valmir Krasniqi, i cili tregoi për veçoritë dalluese të Fortesës: “Fortesën e karakterizojnë më së shumti këmbëngulësia dhe shpejtësia që mund të themi se ka qenë e barabartë edhe me meshkuj, sepse për vajza ka qenë e pa krahasueshme. Nga Federata e Futbollit të Kosovës në vitet 2019-2020 është shpallur “Sportistja e Vitit”, d.m.th. për lojtaret e reja, është njëra ndër golashënueset më të mira në Kosovë, pavarësisht që është e re me moshë. Fortesa ka suksese të shumta edhe në ekipin tonë. Ne jemi ndër tre ekipet më të mira në Kosovë. Jemi dy herë rresht Kampion i Kosovës, në dy vitet e fundit. Në vitin kur jemi shpallur kampion, i kemi pasur 20 lojë, Fortesa ka shënuar 49 gola. Është një ndër çikat që i ka pri rezultatit tonë dhe është shtylla kryesore që i ka dhënë rezultat klubit tonë.”
“Fortesa është motiv i vajzave të tjera” këtë e thotë edhe ndihmës trajnerja, Qëndresa Thaqi, e cila gjithashtu ka luajtur për Malishevën për 10 vite me radhë: “Është një nder dhe kënaqësi të punosh me femra dhe sidomos me talente siç është Fortesa dhe shpresoj se në të ardhmen Fortesën do ta shoh duke luajtur në Evropë.”
Në fund të intervistave që i realizoi Radio KFOR-i, futbollistja Fortesa Berisha, porositi vajzat e reja që t’i ndjekin ëndrrat e tyre dhe të kenë vullnet, sepse nëse është vullneti, suksesi vjen vetvetiu!