Gjuha e shenjave është një mjet thelbësor i komunikimit për dhjetëra mijëra njerëz të shurdhër në të gjithë botën, por në disa vende, fëmijët dhe të rriturit nuk arrijnë të mësojnë fare gjuhën e shenjave, duke iu pamundësuar atyre komunikimin, edukimin dhe zhvillimin personal dhe profesional.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ka shpallur 23 shtatorin si ‘Ditën Ndërkombëtare të Gjuhëve të Shenjave’, në mënyrë që të rritet vetëdija për rëndësinë e gjuhës së shenjave në realizimin e plotë të të drejtave të njeriut.
Sipas Federatës Botërore të të Shurdhërve, ka afërsisht rreth 70 milionë njerëz të shurdhër në të gjithë botën, ku në mënyrë kolektive, ata përdorin më shumë se 300 gjuhë të ndryshme të shenjave.
Ndërkaq, nga të dhënat zyrtare të ‘Agjencisë së Statistikave të Kosovës’, numri i personave të shurdhër në Kosovë është rreth 5,000, kurse 4,500 persona janë me dëmtim në dëgjim.
‘Shoqata Kosovare e të Shurdhërve’, për nder të kësaj dite ka organizuar disa aktivitete me moton ‘Gjuha e shenjave e drejtë për të gjithë’, duke përfshirë fëmijë në trajnime të gjuhës së shenjave.
Trajneri i interpretëve të gjuhës së shenjave në ‘Shoqatën Kosovare të Shurdhërve’ Selman Hoti, në një intervistë për Radio KFOR-in tregoi disa nga sfidat më të cilat përballen ky komunitet:
“Sfidat më të cilat përballemi janë të shumta, që nga arsimimi, cilësia e arsimit, ku ‘Shoqata Kosovare e të Shurdhërve’ së bashku me ‘Ministrinë e Arsimit’ dhe qendrën burimore janë duke punuar në disa drejtime, si në përpilimin e udhëzuesit për edukimin e fëmijëve të shurdhër dhe me pengesa në dëgjim. Sfida të tjera përfshijnë punësimin dhe sfida të tjera”, kështu tha Selman Hoti, dhe shtoi se mesazhi më i mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës është që t’i japin mundësi këtij komuniteti, të jenë të pavarur dhe t’i përfshijnë sa më shumë në aktivitete të ndryshme.