Policia e Kosovës me shfaqjen e rasteve të para të infektimeve me virusin ‘CoViD-19’ në Kosovë, përveç mbajtjes së rendit dhe sigurisë, ata gjithashtu po ndërmarrin aktivitete dhe veprime aktive në teren, për të asistuar autoritetet e shëndetësisë në aspektin e respektimit të masave dhe kufizimeve sipas ligjeve në funksion, për ruajtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e mëtejmë të virusit.
Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, mbi respektimin e masave anti-kovid dhe mësoi se Policia e Kosovës ka shqiptuar mbi 150 mijë gjoba, për mos zbatim të këtyre masave: “Masat dhe kufizimet që janë vendosur nga autoritetet, kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit publik, megjithëse shpesh-herë ato kufizime kanë një ndikim në zhvillimin normal të aktiviteteve dhe veprimtarisë shoqërore, ekonomike dhe sociale dhe shpesh ka pasur rezistencë në implementimin e tyre në teren. Bazuar në angazhimet e Policisë se Kosovës në zbatimin e ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë ‘CoViD-19’, nga muaji gusht 2020, deri më 21 mars 2021, janë shqiptuar 152,866 fletëparaqitje për moszbatim të masave ndaj pandemisë.”
Zëdhënësi Hoxha, po ashtu tha se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj si në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, po ashtu edhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve si prioritet nëpër periudhën në të cilën po kalojmë.