Përballja me pandeminë ‘CoViD-19’, ka paraqitur sfida globale në shumë aspekte të jetës në gjithë botën. Edhe Kosova, ende po vazhdon të përballet me numër të lartë të rasteve të personave të infektuar me virusin korona.
Kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Dr. Sami Uka, në një intervistë për Radio KFOR-in, tregoi se situata aktuale në vend me ‘CoViD-19’, është e rënduar duke potencuar se kjo javë mund të jenë edhe më kritike sa i përket rasteve të reja të infektimeve: “Gjendja aktuale me pandeminë është shumë e vështirë. Nisur nga fakti që numri i të infektuarve është në rritje të vazhdueshme dhe pritet që ndoshta gjatë kësaj jave të arrijë edhe në 1 mijë persona të infektuar. Mbingarkimi i sistemit shëndetësor është si asnjëherë më parë, duke u nisur nga fakti që në ‘Qendrën Covid’, në Emshir, që është vetëm për marrjen e terapisë për të sëmurët me kovid, çdo ditë kemi rritje të numrit të personave që kanë nevojë për terapi.”
Dr. Uka, tregoi po ashtu se virusi është i përhapur shumë edhe në stafin mjekësor dhe konfirmoi se deri më tani kanë pasur mbi 400 punëtor shëndetësor të prekur me ‘CoViD-19’, të cilët përbëjnë më shumë se 60% të numrit të përgjithshëm të punëtorëve shëndetësor.Ai edhe njëherë ftoi të gjithë qytetarët pa dallim moshe, gjinie e përkatësie etnike që ti përmbahen dhe t’i zbatojnë këshillat për parandalimin dhe frenimin e përhapjes së ‘CoViD-19’.