Në përballje me pandeminë ‘CoViD – 19’ edhe gazetarët, bashkë me stafin mjekësor, ishin në vijën e parë të fronit, duke informuar qytetarët për gjithçka rreth këtij virusi të panjohur. Kudo që shpërthente një vatër infeksioni, gazetarët ishin në mesin e akterëve të parë që vraponin atje për të sjellur informacionet më të fundit për ‘CoViD–19’.
Në mesin e gazetarëve që në vazhdimësi ka raportuar rreth zhvillimeve për këtë pandemi ishte edhe Xheneta Asllani nga ‘RTV Dukagjini’. Në një intervistë për Radio KFOR-in, ajo e quajti sfidues raportimin në kohë reale nga vendi i ngjarjes dhe shtoi: “Ka qenë e vështirë dhe sakrificë e madhe, jo sepse unë isha në rrezik të infektohem, por sepse unë lehtë mund të bëhesha burim i infeksionit për familjen dhe kolegët. Kur bëhet fjalë shëndeti i të tjerëve dhe kur e di që ti je ai person që mund ta cenosh shëndetin e tyre, është një barrë dhe përgjegjësi e madhe që të rraskapit. Prandaj gjatë gjithë kësaj kohe, jam munduar të respektoj maksimalisht të gjitha masat mbrojtëse. Informimi i drejtë është jetik sidomos në situata kur lajmet e rreme zënë vend kryesor, duke ndikuar edhe në shëndet mental të njerëzve. Me padurim po e pres ditën kur do të raportoj për krijimin e një vaksine anti-Covid. Uroj të mos jetë larg.”
Lidhur me zhvillimet për pandeminë ‘CoViD – 19’ në vazhdimësi ka raportuar edhe gazetarja nga ‘RTV Kim’, Milena Maksimovic, e cila për Radio KFOR-in tha: “Shumica e mediave janë munduar që të informojnë qytetarët rreth situatës në kohë reale, duke dalë në terren dhe duke sjellur informacione të sakta. Në këtë mënyrë, gazetarët shpeshherë kanë qenë direkt të ekspozuar ndaj rrezikut nga infeksioni. Është e rëndësishme që secili të bëjë punën e tij, por edhe si qytetarë duhet të jemi të vetëdijshëm në respektimin e masave mbrojtëse.”
Raportimet për pandeminë janë bërë akoma më sfiduese kohëve të fundit për shkak se Kosova është renditur në mesin e vendeve me numrin më të madh të të infektuarve me ‘CoViD–19’.