Me datat 18 dhe 19 nëntor, Organizata ‘GAIA Kosovo’, do të organizojë sesione informuese në lidhje me mundësitë e punës vullnetare në Evropë, nëpërmjet programit të Korpusit Evropian të Solidaritetit.
Këto sesione informuese do të jenë të hapura për të gjithë të rinjtë e grup moshave 18 deri në 30 vjeç, tha për Radio KFOR-in, koordinatorja e Programit për Mitrovicë në ‘GAIA Kosovo’, Mevlude Skuroshi, e cila tregoi më shumë për punën vullnetare që do të bëjnë të rinjtë: “I kemi bërë dy info-sesione për punë vullnetarë, nëpërmes programit të Korpusit Evropian të Solidaritetit. GAIA është një nga organizatat e akredituara në Kosovë për me dërgu edhe për me pranu vullnetarë nëpër Evropë. Ky është program i Bashkimit Evropian dhe është mundësi shumë e mirë për të rinj të Kosovës, të moshës nga 18 deri në 30 vjeç. Po duam t’ju tregojmë hapat se si munden me gjet projekte dhe organizata ku munden me shku e me ba punë vullnetare deri në 1 vjet. Të gjitha shpenzimet janë të mbuluara për vullnetarët, ka mbështetje edhe me mentorë dhe kurse të gjuhës, në varësi se ku shkon. Po duam të shohim sa më shumë të rinj që shkojnë jashtë vendit dhe duan të bëjnë punë vullnetare. Në faqen e GAIA-s e kemi bërë një sesion të veçantë, ku po ofrojmë informata në lidhje me këtë program, dhe po i përkthejmë edhe në gjuhë të tjera, si serbe, rome dhe turke. Ne po bëjmë hapa lehtësues për të gjithë të rinjtë në Kosovë, nga të gjitha etnitë, që të bëhen pjesë e këtij programi. Duhet ditur edhe gjuhën angleze, meqë të gjitha procedurat janë në gjuhën angleze.”
Nga ‘GAIA Kosovo’ po ashtu kanë bërë të ditur se të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë në këto sesione për punë vullnetare, fillimisht duhet të regjistrohen në këtë vegzë: https://forms.gle/pTDyBjtickWPkzMD8