16 të rinj nga komunitete të ndryshme kanë nisur realizimin e filmave dokumentarë për tema të ndryshme sociale në kuadër të programit “Future is Here”. Ky program është pjesë e Shkollës së Filmit Dokumentar tash e tetë vite, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Këta të rinj e kanë shansin që ta sfidojnë vetën në fushën e kinematografisë, ku për një javë e kanë për detyrë që të realizojnë së paku gjashtë filma dokumentarë.
Radio KFOR-i ka kontaktuar udhëheqësin e “DokuLab”, Eroll Bilibanin, i cili ka treguar se për vite me radhë kanë arritur të zbulojnë talente të veçanta të filmbërësve të rinj: “Ky program është pjesë e ‘DokuLab’. Këtë vit jemi duke punuar me gjeneratën e tetë të filmbërësve, ku ne punojmë me nxënës të shkollave të mesme për t’iu mësuar atyre krijimin e filmave dokumentarë në forma të ndryshme kreative. Deri më tani kemi pasur 45 filma dokumentarë nga shtatë gjeneratat e kaluara. Këtë vit kemi 16 nxënës nga e tërë Kosova, që po duken se janë shumë të talentuar. Kemi pjesëmarrës edhe nga komunitete tjera. Këtë vit pjesë e këtij programi është një i ri nga komuniteti rom. Si zakonisht, në shkollën tonë edhe këtë vit kemi më shumë vajza se djem, e kjo tregon për interesimin e madh të dy gjinive”, tha Bilibani për Radio KFOR-in.
Kampi, që ka nisur në Prizren të dielën e kaluar dhe do të zgjasë deri më 12 janar, udhëhiqet nga regjisorja Blerta Zeqiri dhe nga regjisorja dhe njëkohësisht profesoresha Andrijana Stojkoviq. Tutorët e tjerë përfshijnë edhe Gazmend Bajrin në postproduksion si dhe Samir Karahodën, i cili ligjëron dhe mban ushtrime praktike për fotografi në film.
Filmat dokumentarë, të realizuar në kuadër të këtij programi kanë fituar edhe çmime në festivale të ndryshme të filmit në Slloveni, Itali, Spanjë, Bullgari, Shqipëri dhe në vende të tjera.