Në kuadër të fushatës globale “16 Ditë Aktivizëm”, po realizohet edhe fushata sensibilizuese “Derë më Derë”, me mesazhin “Ndal Martesat e Fëmijëve”, e cila po implementohet nga Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptiane të Kosovës (RROGRAEK), ku u angazhuan më shumë se 200 anëtare të këtyre komuniteteve në diskutime rreth martesave të hershme.
Në lidhje me këtë fushatë, Radio KFOR-i ka kontaktuar zyrtaren për komunikim në Organizatën “UN Women Kosovo’, Anisa Bina, e cila tregoi se tanimë ka filluar faza e dytë e kësaj fushate: “Në fazën e parë të fushatës “Derë më Derë”, rreth 360 familje, në tri komuna në Kosovë u takuan me qëllim të ngritjes së vetëdijes për efektet e martesës së hershme dhe kufizimet që kjo dukuri imponon në perspektivat e vajzave për një jetë të denjë si dhe mekanizmat për parandalimin e potencialit për dhunë ndaj grave. Fushata “Derë më Derë”, kundër martesave të hershme ka angazhuar djem e burra të komuniteteve RAE, për të arritur më lehtë tek familjet e këtyre komuniteteve. Këtë fundjavë ka filluar edhe faza e dytë e kësaj fushate, e cila u implementua në kuadër të fushatës globale ‘16 Ditët e Aktivizmit’ kundër Dhunës në familje.”
Në përgjigjen dhënë Radio KFOR-it, zonja Bina, ka përçuar mesazhin e saj për ndalimin e martesave të hershme: “Martesat e hershme janë abuzim i të drejtave të njeriut, i cili përbën një kërcënim të rëndë për jetën e vajzave të reja, shëndetin dhe perspektivat e së ardhmes. Investimi në zhvillimin e edukimit të vajzave, sigurimi që ato të kenë qasje në arsim dhe shërbime shëndetësore dhe e drejta e tyre për të zgjedhur lirshëm për të u martuar, është vendimtare për jetën e dinjitetshme të vajzave. Kjo nënkupton gjithashtu familje më të shëndetshme dhe nivele më të larta të barazisë gjinore, duke krijuar shoqëri më të forta dhe ekonomi më të gjalla.”
Fushata “Derë më Derë”, po zbatohet nën programin rajonal të UN Women “Zbatimi i Normave, Ndryshimi i Mendësisë”, i financuar nga BE, i cili synon t’i japë fund diskriminimit dhe dhunës ndaj grave (VAW) me bazë gjinore në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.