Sot (25.11.20) fillon fushata globale 16 ditore e quajtur ‘16 ditët e aktivizmit’, e nisur nga Qendra për Lidershipin Global të Grave, që nga viti 1991, e cila ka për qëllim eliminimin e dhunës në baza gjinore.
Gjatë këtyre 16 ditëve, do të shënohen aktivitete dhe ngjarje të shumta edhe në vendin tonë, nën organizimin e ‘UN Women’ në Kosovë, në kuadër të Kombeve të Bashkura, që është kampione globale për barazi gjinore, për punën e tyre për të zhvilluar dhe mbështetur standarde të barabarta dhe gjithashtu njihet edhe për krijimin e një mjedisi në të cilin çdo grua dhe vajzë mund të jetojë dhe veprojë e sigurt dhe e barabartë në shoqëri. Për aktivitete të shumta të kësaj fushatë drejtoresha e UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi Nushi, në një prononcim për Radio KFOR-in, tregoi se çfarë do të përmbajë programi i tyre këtë vit: “Këtë vit për shkak të pandemisë ‘Covid-19’, kemi rritje jo vetëm në Kosovë por edhe globalisht të rasteve të dhunës në familje deri në 30 %, për shkak që edhe Kosova afërsisht të njëjtën përqindje e ka. Jemi munduar që me të vërtetë edhe gjatë fushatës, por edhe pas fushatës të jemi në kontakt edhe me ofruesit e shërbimeve ndaj grave, mirëpo edhe me vetë gratë. Këtë vit globalisht qëllimi i fushatës apo motoja e fushatës është që të ngjyrosim në portokalli botën dhe të ngritim edhe në një nivel më të lartë vetëdijen dhe të tërheqim vëmendjen për këtë problem shumë serioz, që është duke i atakuar kryesisht gratë. Gjithashtu, do t’i promovojmë edhe numrat informues të cilët do të jenë në dispozicion 24 orë , 7 ditë, por edhe aplikacioni më i ri për thirrje për ndihmë, që do ta lansojmë së bashku me Policinë e Kosovës, ku gratë jo vetëm përmes telefonit, por edhe përmes këtij aplikacioni, do ta lajmërojnë policinë në rast se ato ballafaqohen me dhunë në familje.”
Znj. Tuzi, kishte edhe një mesazh për të gjitha gratë të cilat janë viktima të keqtrajtimit apo abuzimit, jo vetëm të dhunës fizike por edhe dhunës psikike dhe ekonomike, që t’i lajmërojnë rastet e tyre sepse Policia e Kosovës si dhe Strehimoret janë mjaft të pajisura dhe janë të gatshme t’iu ofrojnë gjithmonë ndihmë përgjatë 24 orëve.