Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, që të ndalojnë përdorimin e fishekzjarrëve në hapësira publike dhe në hapësira banimi për festat e fundvitit, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, ambientit dhe kafshëve.
Në një njoftim për media, drejtoresha ekzekutive e këtij Fondacioni, Elza Ramadani, ka listuar disa nga efektet negative të përdorimit të fishekzjarreve: “Ndikimi në ambient: fishekzjarret shkaktojnë ndotje të gjerë të ajrit në një kohë të shkurtër, duke lënë pas grimca metali, toksina të rrezikshme, kimikate të dëmshme dhe tym në ajër për orë dhe ditë të tëra. Në vitet e fundit, kemi qenë dëshmitarë të një kualiteti shumë të dobët të ajrit në Kosovë, sidomos gjatë periudhës së dimrit, e ky trend fatkeqësisht po vazhdon edhe këtë vit. Ndikimi në shëndet: ekspozimi ndaj grimcave të imëta, si ato që gjenden në tym dhe mjegull, është i lidhur me implikime negative në shëndet, të tilla si kollitja, vështirësitë në frymëmarrje, sulmet e astmës dhe madje edhe sulmet në zemër. Njerëzit më të rrezikuar ndaj ekspozimit ndaj këtyre grimcave, janë ata me sëmundje të zemrës ose mushkërive, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe fëmijët.”
Përveç ndikimit në shëndetit e njeriut dhe në ndotjen e ajrit, znj. Ramadani, ka përmendur edhe dëmet që fishekzjarret ua shkaktojnë kafshëve. “Qentë, macet dhe kafshët e tjera nuk e kuptojnë se çfarë janë fishekzjarrët, gjithçka që ata dinë është se ka shpërthime të forta, të frikshme dhe instinktet e tyre aktivizohen, duke u thënë atyre se duhet të vrapojnë dhe të fshihen për siguri. Këto shpërthime mund të lënë kafshët të hutuara, të çorientuara, të humbura, në gjendje shoku të rëndë apo edhe të ngordhura. Dëgjimi i shumicës së kafshëve është shumë më i ndjeshëm se sa te njerëzit, kështu që shpërthimet e fishekzjarreve jo vetëm që janë më shqetësuese për ta, por ato mund të dëmtojnë rëndë dëgjimin e tyre.”