Studentja nga Kosova Fjollë Caka, e cila ka përfunduar studimet posdiplomike në Washington D.C., është ftuar në emisionin e pasdites në Radio KFOR dhe njoftoi për çmimet që mori nga universiteti prestigjioz ‘George Washington’.
Fjolla u shpërblye me dy çmime nga universiteti ku ajo përfundoi studimet në arkitekturë. Caka u nderua me çmimin ‘George Washington Award’, që jepet për arritje akademike gjatë studimeve dhe çmimin që u ndahet të sapo diplomuarve ‘Alumni Association Price’, për punën e saj si presidente e aktiviteteve studentore në degën e arkitekturës, një çmim i cili u ndahet studentëve me potencial të madh në fushën e arkitekturës. Për dëgjuesit e Radio KFOR-it, Fjolla na dha detaje më të hollësishme në lidhje me të arriturat e saj:
“Fillimisht jam falenderuese për bursën nga Kosova, që të studioj në këtë Universitet privat prestigjioz dhe nuk besoj që kisha arrit të mbuloj shpenzimet e vetme, ndërsa tani që jam kthyer në Kosovë, për dy vite duhet të punoj në institucionet vendore dhe të kontribuoj për vendin tim.”, tha Caka.
Fjolla është edhe aktiviste e të drejtave të njeriut dhe sociologe e cila përmes organizatës jo-qeveritare ‘Iniciativa e të Rinjëve për të Drejta e Njeriut’, është përfshirë në shumë projekte multietnike, duke ndihmuar dhe ngritur zërin për grupët e margjinalizuara, të drejtat e komunitetit LGBT, të drejtat e grave dhe rastet e diskriminimit.
Gjatë bisedës me moderatorën Pranvera Behrami Breznica, Caka tregoi për rrugëtimin e saj në këtë universitet:
“Në rastin tim, unë kam dëshirë të kem njohuri të reja dhe kam përcjellur vazhdimisht forma për aplikim për bursa. Unë gjithmonë ambicien e kthej në punë dhe puna më shpërblehet me njohje të reja por edhe një vetë kënaqësi për këto arritje.”
Fjollë Caka inkurajon të gjithë të rinjtë e të rejat në Kosovë, të cilët duan të jenë pjesë e ndonjë universiteti, të ndjekin ëndërrat e tyre.