Edicioni i 18 -të i Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë, do të filloj nesër (2.10.2018) në Prishtinë nga ora 20:00 në në kinëmanë ‘Cineplexx’, me shfaqjen e filmit ‘Au Revoir là – haut’, nga Albert Dupontel.
Festivali organizohet në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës, Belgjikës dhe Luksemburgut, ‘Aleancën Franceze të Prishtinës’, ‘Ministrinë e Punëve të Jashtme’ si dhe ‘Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës’.
Atasheu për kulturë në ambasadën e Francës në Kosovë, Valon Ibraj në një intervistë për Radio KFOR-in, tregoi për organizimin e këtij festivali:
“Me rastin e avancimit të statusit të Kosovës si anëtare e asocuar në organizatën ndërkombëtare të Frankofonisë, risi për këtë edicion do të jenë katër filmat kosovarë, të cilët po korrin suksese të mëdha gjithandej në Festivale ndërkombëtare. Kjo u bë e mundur në bazë të bashkëpunimit në mes të Ambasadës së Francës në Kosovë dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës. Me këtë rast filmat kosovarë të cilët do të shfaqen gjatë ‘Festivalit të Filmit Frankofonë’, do të përkthehen në gjuhën frënge dhe kështu do të jenë gati të prekin filmdashësit anekënd botës frankofone”, tregoi Ibraj.
Festivali këtë vit do shtrihet në Prishtinë, Prizren, Pejë, Graçanicë dhe Mitrovicë dhe do të mbyllet më 11 nëntor në ora 19:00 në KINO ARMATA, ndërsa hyrja është pa pagesë për të gjithë filmat.