Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS) fillon sot (7 dhjetor), edicionin e shtatë të “Javës së të Drejtave të Njeriut”, i cili do të mbahet deri më 10 dhjetor, 2020.
Për të mësuar më shumë, Radio KFOR-i ka kontaktuar Koordinatoren e Programit nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), Trina Binaku, e cila tha: “Këtë vit “Java e të Drejtave të Njeriut” do të fokusohet në trajtimin e çështjeve të të drejtave të njeriut gjatë pandemisë. Në ditën e parë e kemi një panel diskutimi “Pandemia e të drejtave të njeriut”, pastaj në ditën e dytë, më 8 dhjetor, nga ora 16:00, në facebook do të kemi panelin tjetër me temën “Solidariteti dhe Aktivizmi gjatë pandemisë”. Aktivitetet do të vazhdojnë edhe më datën 9 dhe 10 dhjetor, ku do të kemi aksione rrugore në disa qytete në Kosovës për të shtjelluar çështjen e korrupsionit si dhe për të vënë në pah shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë pandemisë.”
“Java e të Drejtave të Njeriut” mbështetet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Departamenti i Shtetit Amerikan dhe implementohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS).