Sot (14.09.20), në shumicën e shkollave të Kosovës ka filluar viti i ri shkollor, në përjashtim të disa shkollave që nuk kanë arritur të nisin këtë vit të ri, për shkak të përgatitjeve infrastrukturore. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Ramë Likaj, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e shëndetësisë Armend Zemaj, siguroi se janë bërë të gjitha përgatitjet në përputhshmëri me situatën e krijuar nga Covid-19. Mësimi do të fillojë në dy faza këtë vit. Sot nisin mësimin klasat 0 deri 6 dhe klasa e 10-të. Për klasat 4 dhe 5 nuk është vendosur ende se në çfarë forme do ta zhvillojnë mësimin, në shkolla apo nga distanca. Faza e dytë e mësimit do të fillojë me 21 shtator ku përfshihen klasat 7, 8 dhe 9.
Më të gëzuarit për fillimin e mësimit në objekte shkollore janë fëmijët dhe me këtë rast Radio KFOR-i intervistoi dy fëmijë, të klasës së tretë, Amar Isufi dhe Davud Kastrati, të cilët nuk hezituan të tregojnë se sa të lumtur janë që po e fillojnë vitin e ri shkollor. E rëndësishme është që të dy ishin të informuar për respektimin e rregullave që duhet ndjekur në shkollë. Ishte nxënësi Kastrati, i cili dha edhe një mesazh për shokët dhe shoqet e tij: “Duhet t’i bartim maskat dhe t’i pastrojmë duart!”. Ndërsa, nxënësi tjetër Isufi, tha: “Prindërit na kanë njoftuar se si të mbrohemi nga virusi dhe si të mbajmë pastërtinë”.
Bazuar në vendimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ora e parë e mësimit, në të gjitha shkollat e Kosovës, do t’i kushtohet informimit dhe vetëdijesimit të nxënësve lidhur me pandeminë Covid-19. Në vendim, po ashtu thuhet se, në javët në vijim, së paku një orë në javë do t’i kushtohet informimit të nxënësve për zhvillimet më të reja për pandeminë dhe për përgjegjësitë e nxënësve në luftimin e saj.