Për herë të tretë në Kosovë organizohet ‘Konventa e Industrisë së Veshmbathjeve’. Kjo konventë do të bashkojë organizata dhe institucione të tekstilit nga vendi dhe bota për të shkëmbyer ide biznesore dhe për të rritur bashkëpunimin në këtë fushë. Duke filluar nga sot (22 tetor), konventa do të jetë e hapur për disa ditë në ‘Hotel Emerald’ në Prishtinë.
Për të mësuar më shumë rreth kësaj konvente, Radio KFOR-i kontaktoi koordinatoren e këtij projekti nga shoqata e tekstilit ‘Kama’, Artika Azemi, e cila tregoi për organizimin dhe qëllimin kryesor të kësaj konvente:
“Ne po organizojmë për herën e tretë ‘Konventën e Veshmbathjeve’ ku bëjmë bashkë prodhuesit e tekstilit, por këtë herë kemi bashkuar edhe dizajnerët. Qëllimi i kësaj konvente është që t’i takojmë klientët potencial që na vijnë nga jashtë dhe prodhuesit në Kosovë të veshmbathjeve, që të kenë mundësi të bashkëpunimit në të ardhmen. Poashtu, do të jetë edhe një ekspozitë e studentëve ku do të shpallim 3 dizajnet më të mira të konventës”.
‘Konventa e Veshmbathjeve të Kosovës’ organizohet nga Shoqata e Kosovës për Marketing të Veshmbathjeve (KAMA) dhe përkrahet nga ‘USAID Empower Sector’ në partneritet me Sida.