Ambasada amerikane në Prishtinë dhe Parku Kulturor “Ali Podrimja”, sot (13 gusht) prezantojnë “Javën Amerikane të Filmit Hapësinor, në Gjakovë”, duke ofruar gjashtë filma, që do të shfaqen nga sot (13 gusht) për të vazhduar deri më 23 gusht.
Filmat e shfaqur i kushtohen 50 vjetorit të uljes së parë në hënë dhe edukimit në përgjithësi të Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës.
Zbritja në hënë, në vitin 1969, ishte një arritje e paparë në historinë njerëzore, prandaj java e filmit fillon me filmin e jashtëzakonshëm kushtuar jetës së astronautit legjendar amerikan, Neil Armstrong, “First Man”, i cili do të shfaqet sonte duke filluar nga ora 21:00, në Parkun Kulturor “Ali Podrimja”.
Nesër ( e mërkurë), nga ora 21:00, shfaqet filmi “Big Hero 6”, të enjten (15 gusht), në ora 21:00, shfaqet filmi “Star Wars Episode VIII: The Last Jedi”, të martën (20 gusht), nga ora 21:00, shfaqet filmi “The LEGO Movie”, të enjten (22 gusht), po nga ora 21:00, fillon shfaqja e filmit “Passengers”, për të përfunduar me filmin “Wall-E”, i cili shfaqet të premten (23 gusht), po nga ora 21:00.
Shfaqja e filmave të lartpërmendur janë me titra anglisht dhe ofrohen falas.