Fillon fushata ‘Dashni e Kujdes’ kundër diskriminimit të të prekurve me ‘CoViD-19’
Fondacioni ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ në bashkëpunim me Institucionin e Avokatit të Popullit dhe me përkrahjen e UNDP-së, kanë filluar Fushatën ‘Dashni e Kujdes’, për t’ju dalë në ndihmë qytetarëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë, të cilët ndihen të diskriminuar për shkak të infektimit me ‘CoViD-19’.
Radio KFOR-i ka kontaktuar Avokatin e Popullit, Naim Qelaj, i cili ka treguar se cili është qëllimi i kësaj Fushate. “Fushata ‘Dashni e Kujdes’, ka për qëllim luftimin e diskriminimit dhe stigmatizimit ndaj personave që janë shëruar apo që janë infektuar me ‘CoViD-19’. Diskriminimi i personave që janë prekur ose shëruar nga koronavirusi, mund të ndikojë që qytetarët të mos kërkojnë ndihmë mjekësore, ta fshehin atë apo të shpërfillin rregullat. Personat që ndjehen të diskriminuar, mund ta paraqesin rastin e tyre te Institucioni i Avokatit të Popullit.”
Të gjithë mund të bëhen pjesë e kësaj fushate, duke përdorur në postimet e tyre në rrjetet sociale, thurjen (hashtag) me fjalët: #dashniekujdes, #loveandcare si dhe #ljubavipažnja !