Sot, me 1 qershor, në Kosovë fillon faza e tretë e masave lehtësuese për qytetarët dhe institucionet, ndaj pandemisë COVID-19. Me fillimin e fazës së tretë të lehtësimit të masave është vendosur për rihapjen e çerdheve, kufijve tokësorë, gastronomisë dhe qendrave tregtare. Megjithatë, edhe me këto lehtësira Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, kanë nxjerrë disa rekomandime që duhet ndjekur nga veprimtaritë që do të fillojnë punën sot. Po ashtu me vendimin e ri, të gjithë personat që hyjnë në Kosovë, obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të QKMF-ve (Qendrave kryesore të mjekësisë familjare), në pikat kufitare dhe t’i zbatojnë masat mbrojtëse kundër ‘COVID-19’.
Po ashtu, të gjithë personat që hyjnë në Kosovë dhe posedojnë rezultatin negativ për testin ‘Covid-19’ RT PCR (jo më i vjetër se 4 ditë) nuk do t’i nënshtrohen procedurave të vet-izolimit.
Në arsyetimin e miratimit të këtyre vendimeve, është theksuar se situata epidemiologjike në vend konsiderohet me rrezik të reduktuar, krahasuar me situatën paraprake, e konstatuar nga IKSHPK-ja dhe zyra e OBSH-së në Kosovë.