Nga sot (8 korrik) e deri më 14 korrik, në dy terrenet e Klubit të Tenisit “Prishtina”, në Bregun e Diellit, do të mbahet edicioni i 27-të me radhë i turneut më të madh dhe më të gjatë në Kosovë “Prishtina Tennis Open”. Në këtë turne, pjesëmarrës do të jenë kategoritë: Seniorët femra dhe meshkuj, Juniorët femra dhe meshkuj të moshave: U-12, U-14, U-16 dhe U-18, Veteranët e moshave 40+, 50+ dhe 60+ si dhe qiftet dhe mix. Për të mësuar më shumë rreth këtij turneu, Radio KFOR-i kontaktoi drejtorin e “Prishtina Tennis Open”, Bajram Ibrahimi, nga i cili mësuam:
“Turneu ‘Prishtina Tennis Open 2019’ filloi sot dhe çdo gjë është duke shkuar sipas planit. Organizimi është i mirë, është një numër i mjaftueshëm që po marrin pjesë. Me kategorinë U12 vjeçare që kemi startuar, janë katër lojtarë që kanë ardhur edhe nga diaspora, nga Zvicra dhe Franca dhe është një konkurrencë mjaftë e bukur. Po ashtu në javën e dytë do të jetë edhe kategoria e seniorëve, për të rritur e cila do të zgjasë një javë”, tha z. Bajram Ibrahimi.
Vlen të theksohet se regjistrimi për pjesëmarrje në turneun e lartpërmendur është me pagesë, 10 Euro për person, 20 Euro për senioret dhe veteranët, kurse 5 Euro për të gjitha kategoritë tjera.