“Fuqizimi i të rinjve për një të ardhme paqësore”, është projekti i cili ka filluar të shtunën dhe të dielën (17 dhe 18 gusht) dhe do të vazhdojë të realizohet edhe më datën 24 dhe 25 gusht, në Hotel “Theranda”, në Prizren.
Qëllimi i “Kampit Veror të Avokimit” është përfshirja e vajzave të reja nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë , duke u dhënë mundësi të shkëmbejnë idetë e tyre, duke krijuar miqësi të reja dhe të mësojnë më shumë për çështje avokuese.
Për të ditur më shumë rreth kampit, stafi i Radio KFOR-it ishte prezent aty, ku dhe bisedoi me përfaqësuesen e “UN Women”, në Kosovë , Vlora Nushi e cila tha:
“Ne sot jemi mbledhur këtu me një grup të vajzave, në mënyrë që të punojmë bashkë me to, që t’iu ndihmojmë që zëri i tyre të dëgjohet më tutje, që nevojat e tyre apo edhe ëndrrat e tyre të realizohen për të marrë gjithmonë vendin që iu takon në shoqëri.”
Për ta përkrahur nismën e këtij kampi, e pranishme ishte edhe koordinatorja e agjencive të Kombeve të Bashkuara, në Kosovë, Ulrika Richardson, e cila dha një mesazh të fuqishëm për të gjitha vajzat e reja në Kosovë:
“Mesazhi im për vajza të reja dhe për gra të Kosovës, është që ato duhet të jenë të vetëdijshme për potencialin e tyre, për fuqinë që kanë dhe kur them fuqi potenciale, është fuqi pozitive, është mënyrë pozitive se si ato mund ta shndërrojnë Kosovën në shoqëri më paqësore dhe për ta bërë këtë, ato duhet të takohen edhe me moshatare, grupe të etniteteve të tjera. Gjuha është një çështje tjetër, është një barrierë nëse nuk e njeh, prandaj, mësoni gjuhën tjetër, çdokush duhet të mësojë edhe një gjuhë tjetër. Mendoj se kjo është mënyra dhe absolutisht baza themelore për një shoqëri më të fortë, shoqëri gjithëpërfshirëse, sepse sa më e fortë, sa më gjithëpërfshirëse të jetë shoqëria, ka më shumë respekt për njëri-tjetrin. Pra, respekti për dallimet, diversitetetin, grupet etnike, moshën, gjininë apo religjionin është një formë e një shoqërie të fort dhe pikërisht ky respekt do të ndërtojë qytetarinë, e cila është shtylla themelore e një demokracie dhe demokraci është toleranca dhe respekt për njëri-tjetrin. Kështu që vajza të reja nga e gjithë Kosova, bashkëpunoni me tjera-tjetrën dhe angazhohuni që së bashku të ndikoni në shoqëri në mënyrë shumë pozitive”.
Projekti “Fuqizimi i të rinjve për një të ardhme paqësore“ financohet nga Fondi për Ndërtimin e Paqes, i themeluar nga Sekretari Gjeneral i Kombeve të Bashkuara, kurse implementohet nga “UN Women”, UNDP-UNV dhe UNICEF.